Takimi i 3-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC)

Dhoma Kombëtare e Zejtarisë mori pjesë në Takimin e 3-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC), i zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Bashkimit Europian, organizatave të biznesit, sindikatave dhe shoqërisë civile.

Takimi u fokusua në progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, veçanërisht në kuadër të Cluster 2 – Tregu i Brendshëm, përgatitjet për integrimin në Tregun Unik Europian, mbrojtjen e konsumatorit, lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, si dhe rolin e shoqërisë civile në procesin e reformave.

Në emër të komunitetit të biznesit, z. Koli Sinjari anëtar i palës shqiptare në JCC, mbajti një fjalë ku theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të Shqipërisë në Tregun Unik Europian dhe nevojën për përshpejtimin e reformave që lidhen me katër liritë themelore të BE-së: lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, shërbimeve dhe kapitalit.

Në fjalën e tij, z. Sinjari vlerësoi përmbushjen me sukses të klasterit “The Fundamentals”, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se progresi në kapitujt që lidhen me Tregun e Brendshëm duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e:

  • Njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale për profesionistët shqiptarë në tregun europian;
  • Përshpejtimit të harmonizimit me Direktivën e Shërbimeve dhe Direktivën për Kualifikimet Profesionale;
  • Zhvillimit të sistemeve që mundësojnë lëvizjen e lirë dhe mbrojtjen sociale të punëtorëve shqiptarë në vendet e BE-së;
  • Përfshirjes së organizatave të biznesit dhe shoqërisë civile si partnerë të strukturuar në procesin e reformave dhe negociatave.

Z. Sinjari theksoi se Tregu Unik Europian mbetet një nga shtyllat kryesore të integrimit europian dhe njëkohësisht një test i rëndësishëm i seriozitetit politik të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Dhoma Kombëtare e Zejtarisë vlerëson rëndësinë e këtij dialogu të strukturuar ndërmjet institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, si një instrument i domosdoshëm për të siguruar një proces integrimi gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete për ekonominë shqiptare dhe komunitetin e sipërmarrjes.

Takimi përfundoi me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri.

  

Dhoma kombetare e Zejtarise

Tel/fax: +35542204272/70

Mob: +355697556384 

Bulevardi Bajram Curri,
Godina 2 kate brenda ambjenteve te Drejtorise Rajonale te Arsimit dhe Formimit Profesional DRAFP Nr.4,
Tirana/ Albania.